
Çfarë është Holter Ritmi i Dixhitalizuar ?
Holter Ritmi i Dixhitalizuar është monitorimi i ritmit të zemrës në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet një pajisjeje, ndërkohë që ju kryeni rutinën e zakonshme. Monitorimi i zakonshëm zgjat 24 orë. (Në varësi të udhëzimeve të doktorit)
Si do të përgatitem për testin?
Nuk kërkohet ndonjë përgatitje paraprake e veçantë. Ju do të vini si jeni, dhe mund të hani dhe të pini normalisht. Nëse merrni mjekimë, ju mund të vazhdoni ti merrni ato normalisht gjatë testimit përveç rasteve kur kardiologu ynë e specifikon ndryshe. Sigurohuni të keni bërë dush para testimit, pasi kjo nuk do të jetë e mundur gjatë periudhës që keni veshur pajisjen e monitorimit.
Çfarë ndodh gjatë testimit?
Kardiologu do tju vendosë pajisjen e holter ritmit. Disa ngjitëse të vogla do të vendosen në lëkurën e kraharorit. Ato janë të lidhura me kabllo në pajisjen monitoruese. Ju e mbani Holter Matësin në një xhep i ngjitur në krah ose në bel. Kardiologu ynë do të vendosë pajisjen dhe tju japë këshillat e nevojshme. Pajisja përdor bateritë. Është e rëndësishme që nëse gjatë kohës së monitorimit keni patur shqetësime tja raportoni këto kardiologut tonë pasi ky i identifikon lehtësisht peshën dhe luhatjet e tyre nga aparatura duke matur dhe identifikuar saktë problemin.
Çfarë rreziqesh ka testimi?
Nuk ka rreziqe të njohura dhe efekte anësore për këtë testim. Pajisja nuk jep irritime dhe probleme për tu përjetuar dhe personi mund të kryejë aktivitetin e përditshëm normalisht.
Çfarë ndodh pas testimit?
Gjithë regjistrimet e pajisjes Holter do të merren nga kardiologu ynë i cili do ti kalojë në kompjuter nga ku ti analizojë me kujdes. Ai do të bëjë interpretimin e këtyre regjistrimeve për të arritur në një përfundim mbi gjendjen dhe ecurinë e pacientit.